Në munç të mbash në kokë terezinë
Kur shokët çmendër dhe fajtor të nxijnë;
Në munç të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo, dhe s'ka njeri që të beson;
Në munç të preç, dhe pritjen s'e kursen,
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen,
Në të urrefshin, ti s'i çan me brirë,
Dhe s'hiqesh as m'i mënçim as m'i mirë.
Në munç të çndërrosh e të mejtosh,
Dhe nga këto në mos u robërofsh;
Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë,
Dhe t'i shkelmosh të dy si kallpazanë;
Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth
Të drejtën dhe në lak syleshin heth,
Kur sheh kalan' e jetës të rëzuar
Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar;
Në munç të vësh m'i grumbull çdo thesar,
Edhe t'i loç të gjitha me një zar,
T'i humpç edhe të nisësh përsëri
Pa thën' asgjë për këtë batërdi;
Në munç të kesh një zemër, trup e kokë
Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,
Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,
Dhe të thërret vullneti: “Mbahu, or burrë!”
Në munç të zbreç në turm' e të mbash nderin,
Të hash me mbretin, të pish me neferin;
Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,
N'i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;
Në munç për çdo minutë të përpjetë
Të rënç tamam sekunda gjashtëdhjetë;
Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,
Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir!